E kaluara Historike
Prania e Makreshit të Poshtëm në jug të qytetit të vjetër të Artanës, të bind se edhe ky vendbanim nuk ka mundur të ketë qenë jashtë rrjedhave të jetës në thellësitë e shekujve. Meqenëse shtrihet ndërmjet rrjedhës së dy lumenjve, të cilët bashkohen të vendi i quajtur Mullimi Osmanit, duket se ky fshat ka qenë korridor i mirë drejt rrjedhës së Moravës dhe të Vardarit. Ndonëse elemente të veçanta arkeologjike nuk janë gjetur, po as hulumtuar, mendimin tonë e mbështesin mikrotoponimet dhe antroponimet e kësaj hapësire. Mikrotponimet që ubifikojnë një Kishte të zhdukur, Varret e vjetra dhe Prronin e Rimit janë dëshmia më e mirë.
Kujtimin për fatin e keq të banorëve të këtij fshati gjatë periudhës së Perandorisë Otomane e ruan Lufta e Çanakalasë, në të cilën pësuan veç të tjerëve edhe Imer Shaban Islami, Halil Hasan Miftari, Qazim Idriz Osmani, ndërsa u kthyen të gjallë Latif Zeka dhe Islam Rexhepi.
Më 1913 Makreshi e veçanërisht pjesa lindore e tij ishte në mes dy zjarreve të luftës serbo-bullgare dhe për të shpëtuar gjënë e gjallë ata për disa muaj rresh u vendosen në Gjilan e në fshatrat përreth. Në këtë kohë që quhet sa “koha e shkaut” aq edhe “vakti i bugarit”, u vranë shumë fshatarë të këtij fshati: Hasan Radeci, Voca i Ibishti, Sahit Isuf Isufi, Imer Zeka, Isuf Zeka dhe tri gra të familjes së Voc Radecit.
Pas pushtimit të fshatit nga ushtria serbe bëhen shumë përpjekje për konvertimin e shqiptarëve në ortodoksë dhe serbë, por këtë e pranojnë vetëm dy persona, tokat e të cilëve i mori kisha serbe. Viktimë e këtij presioni ishin Sylejman Zeka, Bislim Ukshini, e më vonë edhe Bejtullah Ali Osmani.
Po në këtë fshat, në fund të vitit 1944, janë bërë krime të mëdha nga Brigadat partizane serbo-maqedone dhe fqinjët serb të tyre nga fshatrat përreth. Pas Luftës së Gjilanit, brigadat Partizane pushkatuan plakun Hajrullah Behlulin dhe të vëllamë Bejtullahun, Mustafë Ramadan Mustafën, Ali Kranidellin, Imer Ukshinin dhe të birin Tahsin Hamdi Shehun, Shaban Govorin etj. Po këtë ditë, te vendi i quajtur Guri i Kuq, u pushkatuan një lagje e tërë e meshkujve të Familjes së Poroshticëve, prej të cilës shpëtoi vetëm një i plagosur rëndë.
Bashkëfshatarët tanë kishin fatin e keq të jenë pjesëmarrës edhe të Tragjedisë së Tivarit: Latif Zeka, Selim Sherifi etj.
Pas luftës, në këtë fshat lind një nga bërthamat e para të rezistencës kundër ripushtimit të Kosovës nga serbo-jugosllave, në krye me Ramiz Osmanin, por në rrugën e të cilit vepruan edhe anëtarë të tjerë të familjes kryesisht osmani: Shefki Osmani, Nuhi Osmani, Musli Osmani, Zylfi Musliu Kadri Osmani e të tjerë.
Sikur të mos mjaftonin stuhitë dhe rrebeshet e Perandorisë Osmane, Lustrave Ballkanike, Luftës së Parë dhe asaj të Dytë Botërore, në këtë fshat si edhe në gjithë Kosovën, në dimrin e viteve 1955-1956, u organizua i ashtuquajturi Aksion i mbledhjes së armëve, në të cilin pësuan dhe bartën pasojat e dhunës deri në vdekje gjyshërit dhe baballarët tanë: Hamdi Isufi, Gjemshit Ruhani, Ramë Hajrullahu, Zenel Zeka, Daut Sylejmani, Ali Radeci, Avdi Osmani, Sahit Sylejmani, Dema i Rexhepit, Fetah Islam Isufi, Bajram Ramë Baliu, Mehmet Mustafë Mustafa e të tjerë.
Megjithëse një fshat pothuajse i lënë në mëshirën e kohës dhe me një grusht fshatarësh të vobektë, fshati Makresh i Poshtëm pësoi edhe gjatë luftës së fundit. Ushtria serbe ndoqi nga fshati edhe ata pak banorë që kishin mbetur dhe i urdhëroi që përkohësisht të strehohen në fshatin fqinj Busavatë, ndërsa rrahu për vdekje: Xhemë Ruhanin.
Gjithashtu, grupe të organizuara serbësh vendorë dogjën në mënyrë të veçantë të gjitha shtëpitë e familjeve që jetonin në fshat deri në prag të luftës.